
Klubi I futbollit Vllaznia vazhdon të jetë shembull në mënyrën e menaxhimit. Reklamat dhe kontratat e sponsorizimit janë treguesi më I mirë për këtë gjë. Nga viti në vit, të ardhurat që realizohen nga këto zëra rriten. Kështu duket se do ndodhë edhe në sezonin e ri. Përveç reklamave rreth e rrotull stadiumit “Loro Boriçi”, tashmë Vllaznia do të ketë edhe sponsorin e saj zyrtar. Madje jo vetëm për ekipin e parë por edhe ekipet e Akademisë. Sponsori I ri gjeneral do jetë “Arstl Group”, një firmë që tregton pije me qendër në Shkodër. Logoja e kësaj firme tashmë do stampohet në bluzat e futbollistëve. Marëveshja mes palëve është arritur pikërisht ditën e djeshme dhe nga sa bën të ditur vetë klubi shkodran, kjo marëveshje do ketë një kohëzgjatje njëvjeçare. Atë e kanë firmosur, në emër të klubit Vllaznia administratori I saj aktual Kujtim Shaba dhe në emër të “Arstl Group” nga presidenti I saj Tormetaj. Një kontratë e tillë sponsorizimi do të thotë më shumë të ardhura në arkën e klubit Vllaznia e cila në fakt e kishte programuar një kontratë të tillë në projek-buxhetin e sezonit të ri ngaqë edhe gjatë sezonit të kaluar pat pasur bisedime për këtë çështje por bisedimet ngecën në një pikë. Ndërsa sivjet gjërat janë konkretizuar me firmën në kontratë dhe me paratë në arkën e klubit Vllaznia.
