Vendimi i sotëm i Federatës Shqiptare të Futbollit për të ndërprerë të gjithë kampionatet kombëtare padyshim që ka sjellë ndryshime edhe në procesin stërvitor të të gjithë ekipeve të vendit.
Kështu ka ndodhur edhe tek Vllaznia. Ekipi ishte bërë gati për stërvitje pasdite ndërkohë që paradreke ka vijuar me kryerjen e kontrolleve mjekësore dhe në fund pas një diskutimi në mes futbollistëve dhe stafit teknik është dalë në përfundimin që edhe stërvitja të ndërpritet.
Për këtë arsye, ekipi shkodran nuk ka zhvilluar stërvitje sot ndërkohë që futbollistët tiranas apo lezhjanë që janë pjesë e tij janë drejtuar menjëherë drejt familjeve të tyre ngaqë siç dihet, që nga mëngjesi i nesërm do të bllokohet qarkullimi.
Vllaznia pritet të rikthehet në stërvitje të hënën, të paktën kështu është lënë sot, gjithnjë duke u ingranuar edhe me zhvillimet e tjera sportive por edhe shëndetësore në vend.
Por jo vetem ekipi i pare ka vepruar keshtu. Te njejtin vendim ka marre edhe ekipi B si dhe ato te Akademise Vllaznia te cilet deri ne fillim te javes se ardhshme do te jene pushim.
Një situatë e tillë sigurisht që nuk është normale në aspektin e stërvitjes, megjithatë në këto momente dhe në kushtet që janë krijuar ditët e fundit, sporti është gjëja e fundit që duhet t’u shkojë ndër mend njerëzve.
© shkodrasport.com







