Patrik Kutrone është gati t’i japë lamtumirën Anglisë për t’u kthyer përsëri në kampionatin italian të futbollit, aty ku Milani e dogji më kot për Higuain e pastaj Piotek, të dyja zgjedhje të cilat koha tregoi se ishin të dështuara. Ish-sulmuesi i kuqezinjve iu bashkua Ullvërhempton në verë, por nuk ka gjetur hapësirat që priste në radhët e këtij klubi.
Kështu, ai ka menduar të kthehet në Serinë A, një ambient që njeh shumë mirë e ku me gola shpreson që të bindë Milanin se ka gabuar shumë rëndë që e la të largohej, edhe pse në dy vitet e fundit kishte qenë ai golashënuesi më vendimtar i këtij klubi.
Kutrone është shumë pranë akordit me Fiorentinën, e cila po gjente mënyrat që t’i afrohej shifrës së 18 milionë eurove që ekipi anglez kishte shpenzuar për të në verë e kërkonte të rifitonte. Në fund, marrëveshja është arritur me 3 milionë euro që do paguhen në formë huazimi deri në mbyllje të këtij sezoni, ndërsa më pas klubi italian do ta blejë përfundimisht duke paguar 15 milionë të tjera në arkat e Ullvërhempton. /vipsport/