I ftuar sot në emision sportiv “Pasó” ishte presidenti i klubit të futbollit, Apollonia, Koço Kokëdhima. Ai diskutoi gjerë e gjatë rreth marrëdhënies së sportit me politikën dhe mesa duket gjërat kanë dalë jashtë parashikimeve.

Në këtë intervistë për “Top Albania Radio”, Kokëdhima shprehet se sporti nuk mund të bëjë dot pa politikën. Sa iu përket çështjeve madhore që ka futbolli, ai foli edhe për negociatat që nuk u bënë kurrë në futboll:

“Për fat të keq nuk është përmbushur asnjë nga ato kërkesa të klubeve. Ajo që ndodhi në të vërtetë, nuk është se u tërhoqën klubet, por një përfaqësi me tre presidentë klubesh takoi kryeministrin dhe mori garanci të plota prej tij.
Premtime të qarta në prezencë të Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, premtime se do t’i plotësonte këto kërkesa.

Kryeministri u angazhua që një nga këto kërkesa do ta plotësonte që në javën pasuese dhe të tjerat pastaj në vazhdimësi. E mori si përgjegjsi personale plotësimin e tyre, duke i quajtur ato si kërkesa të drejta.

Fakti që ai gënjeu tre presidentët e futbollit nuk është ndonjë meritë për të, nuk është as ç’meritë për ata që besuan tek kryeministri dhe tek përbetimet e tij…

Pra, premtimi që duhet të mbante kryeministri Rama ishte thjesht një gjest pozitiv nga ana e tij, asgjë më tepër, bëhet fjalë për faljen e gjobave dhe kamatvonesave.

Kjo për mendimin tim është shumë fëminore dhe shumë e pandershme, që të gënjesh përfaqësuesit e një tryeze zyrtare të një institucioni, praktikisht siç është Liga…”

Gjithashtu, Kokëdhima theksoi se pas gjithë kësaj, pas premtimeve që nuk u mbajtën nga fillimi i nëntorit, më 26 shkurt pritet të bëhet një mbledhje e Ligës Profesioniste dhe të zgjidhen problematikat më madhore.