Kombëtarja shqiptare e vajzave ka arritur një fitore të madhe në ndeshjen e dytë play-out ndaj Qipros, duke triumfuar me rezultatin e pastër 3-0 në “Air Albania” dhe duke siguruar kështu qëndrimin në Ligën B të UEFA Nations League.

Trajneri Armir Grima hodhi në fushë këtë formacion: Antigoni Hyska (GK), Arbiona Bajraktari, Ilarja Zarka, Klea Hamonikaj, Arbenita Curraj, Ezmiralda Franja, Alma Hilaj, Megi Doçi (C), Qëndresa Krasniqi, Mesuare Begallo dhe Valentina Troka.

Shqipëria e nisi ndeshjen mjaft mirë, ndryshe nga takimi i parë në Qipro, duke dominuar që në minutat e para dhe duke krijuar disa raste të rrezikshme. Goli i parë erdhi në minutën e 16-të, kur pas një pasimi të saktë nga kapitenia Megi Doçi, Qëndresa Krasniqi dërgoi topin në rrjetë, duke kaluar Shqipërinë në avantazh 1-0.

Në minutën e 29-të, Megi Doçi pati një tjetër mundësi të artë për të dyfishuar rezultatin, por tentativa e saj u devijua nga portierja kundërshtare në këndore.

Shqipëria gjeti golin e dytë në minutën e 38-të me Mesuare Begallon, e cila përfitoi nga një kros perfekt i Megi Doçit dhe e çoi topin në rrjetë për 2-0. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e merituar të vajzave tona, 2-0.

Në pjesën e dytë, Shqipëria vazhdoi të dominojë. Kapitenia Megi Doçi vulosi fitoren në minutën e 66-të, duke ekzekutuar me saktësi një 11-metërsh për rezultatin 3-0. Vajzat kuqezi krijuan edhe disa mundësi të tjera, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.

Me këtë fitore, Shqipëria siguron qëndrimin në Ligën B dhe në edicionin e ardhshëm të Nations League do të jetë pjesë e grupeve të kësaj lige.