Më në fund ka ardhur akordi mes palëve. Nuk do të ketë nevojë as për gjyq dhe as për debate. Vllaznia dhe Edon Hasani sot janë ndarë miqësisht me njëri- tjetrin. Palët kanë arritur akordin e duhur për ndëprerjen e kontratës dhe në këtë mes duket se ka qenë edhe një ndërhyrje e klubit iranian të Sepahanit që ka marrë përsipër të paguajë një shumë financiare në arkën e klubit shqiptar për të marrë shërbimet e këtij futbollisti. Kjo bëhet e ditur përmes një komunikate zyrtare që vetë Klubi Vllaznia ka shpërndarë pak minuta më parë.

Ja ajo e plotë:

KOMUNIKATË PËR SHTYP
KF Vllaznia përmes kësaj komunikate për shtyp sqaron të gjithë çështjen në lidhje me futbollistin Edon Hasani. Duke e konsideruar një veprim aspak të denjë mënyrën e largimit dhe të firmosjes së kontratës nga ana e tij me klubin Iranian të Sepahanit, klubi është vënë në lëvizje për të bërë bllokimin e kësaj transferte. Por ndërkohë, vetë lojtari ka kërkuar falje për një sjellje të tillë dhe ka bërë një kërkesë zyrtare për ndërprerjen e kontratës me klubin tonë duke hequr dorë nga disa pretendime financiare. Po ashtu, edhe nga klubi I Sepahanit është bërë një kërkesë zyrtare, me shfaqje interesi për këtë futbollist, duke ofruar edhe një shumë financiare. Në këto rrethana, ditën e martë më datë 26.12.2017, administratori I klubit z. Astrit Gjyrezi ka thirrur një mbledhje të Këshillit Mbikqyrës të shoqërisë aksionare “KF Vllaznia sh.a”. Njëkohësisht, në këtë mbledhje ka qenë I ftuar edhe trajneri I ekipit të parë Ernest Gjoka. Në fund të shumë diskutimeve të bëra, të gjitha palët kanë dalë në akordin përfundimtar që futbollisti të lejohet për t’u larguar. Kjo ngaqë, skuadra aktualisht ka shumë alternativa në repartin e mesfushës ku ai luan. Përpos kësaj, shuma që klubi përfiton nga ndërprerja e parakohshme kësaj kontrate, do të shërbejë për merkaton e ardhshme të skuadrës për plotësimin e saj me lojtarë në pozicione ku ajo ka më shumë nevojë. Në këto kushte, nga dita e sotme, KF Vllaznia dhe futbollisti Edon Hasani kanë rënë dakord për ndërprerjen e kontratës dypalëshe të punës duke e lënë futbollistin të lirë për të firmosur për klubin “Sepahan”.
KF Vllaznia