Një tjetër futbollist i përfaqësueses Shpresa gjen sistemim në Serinë C italiane. Erdis Kraja, mesfushori i kuqezinjve në edicionin e fundit, ka firmosur sot me skuadrën e Leko, ku pritet të jetë titullar i padiskutueshëm.

Futbollisti i talentuar shkodran mbetet ende në pronësi të Atalantës, klub në akademinë e të cilit u rrit. Pak dite me pare Kraja rinovoi edhe per tre vitet e ardhshme me klubin e mesiper.

Bergamaskët nuk duan të shesin lojtarin dhe kanë insistuar që ai të kalojë një tjetër vit në huazim në kategoritë më të ulëta, para se të marrin një vendim nëse duan ta mbajnë në ekipin e parë apo të heqin dorë nga kartoni i tij.

Kështu, Kraja ka gjetur akordin me Lekon dhe do të vazhdojë atje karrierën për sezonin 2021-2022. Kjo është eksperienca e tij e dytë në Serinë C, pas asaj të edicionit të kaluar ku luajti me fanellën e Grosetos. Më parë, futbollisti luajti i huazuar një sezon te Palermo në Serinë D.