Vonesa e Bakajokos ishte vetëm episodi i fundit i një serie zhgënjimesh nga organika e Milanit. Brenda dhe jashtë fushe, me sa duket kanë qenë të shumta gabimet e disa prej lojtarëve, nga të cilët Gatuzo priste më shumë kontribut gjatë sezonit aktual. Me katër ndeshje të mbetura, tifozët shpresojnë që disa elementë kyçë kuqezinj të mos “belbëzojnë” më në fushë dhe të rikthejnë ekipin te fitoret e mundësisht te zona Champions.

bakajokoo-2 (1)

BAKAJOKO Rëndësia e tij është e madhe brenda Milanit, madje ai vazhdon të jetë në nivel edhe pse skuadra vijon pikiatën e rezultateve. Ishte një vonesë e francezit që solli ndëshkimin ekipor me grumbullim, por me sa duket, nëse në fushë nuk tradhton, jashtë saj e ka bërë më shumë se në një rast.

Burime pranë kuqezinjve bëjnë të ditur se nëse sportivisht është i paqortueshëm, Tiemue çalon kur largohet nga “Milanello”. Vonesa e së mërkurës nuk ishte e fundit, teksa pas humbjes me Torinon është pikasur në diskotekë. Nëse Milani nuk e blen, kjo do të ndodhë sepse nuk bind pozicionimi i tij në jetën private.

kesi

KESI Fitorja e vetme e Milanit në muajin e fundit mban firmën e tij, por që pas saj (kur festoi me fanellën e Açerbit), rendimenti po pëson rënie të frikshme. Afrikani është ai që e ka zhgënjyer më shumë Gatuzon, që përveç gabimeve në fushë, e ka qortuar shpesh për sjelljet në grup, ku spikat sherri me Bilian në derbin ndaj Interit.

Te Bakajoko, 20-vjeçari ka gjetur një shok aventurash, të cilat me sa duket kanë ndikuar direkt në paraqitjet në fushë dhe te raporti me Milanin. Në më shumë se një rast ka qenë paqartësia e tij që ka penalizuar rezultatet, por faji në këtë aspekt ndahet me kolektivin.

suso-calhanoglu

SUSO E ÇALHANOGLU Turku dhe spanjolli janë krahët e sulmit kuqezi, por nuk kanë kontribuar siç pritej në gola apo asiste. Suso nuk garanton gola, e aq më pak pasime vendimtare që prej dhjetorit, ndërsa Çalhanoglu, megjithëse në aspektin fizik ka qenë ndër më cilësorët, ka qenë teknika ajo që i ka munguar gjatë 2019-s. Vetëm një gol ndaj Atalantës dukshëm nuk mund të shërbejë, por të paktën problemet jashtë fushe nuk po ndikojnë më në performancat e tij me fanellën kuqezi.