Ishte autori i golit të katërt në fitoren 4-2 të Vllaznisë kundër Teutës. Një gol spektakolar, nga ata që mbesin gjatë në memorie. Po flasim për Fjoart Jonuzin që edhe dje ishte ndër protagonistët kryesorë të suksesit të shkodranëve, jo vetëm për golin e shënuar, por edhe për lojën që zhvilloi mesfushori në tërësi gjatë 90 minutave.

25-vjeçari “kopjoi” veten me rrjetën e djeshme kundër durrsakëve. Kjo pasi ai kishte shënuar një “perlë” të ngjashme edhe në fitoren 6-3 kundër Dinamos në fitoren e fazës së parë në Shkodër. E për koicidencë në të njëjtën portë, e po në në të njëjtin krah të kuadratit. 2 gola këtë sezon për kuksianin, njëri më spektakolar se tjetri.

Patjetër Jonuzi është një nga pikat e forta të formacionit të Vllaznisë. Ku së bashku me Krymin në mesfushë bëjnë një nga dyshet më të forta të kampionatit. I njohur për grintën, shpirtin luftarak, por edhe pasimet preçize, ish-futbollisti i Laçit dhe Kukësit i ka bërë të gjithë për vete në Shkodër.

Ky është sezoni i tij i dytë në rradhët e kuqebluve, ku pas një edicioni të shkuar spektakolar të të gjithë ekipit, Jonuzi vijon të tregojë vlerat e tij edhe tani. Pavarësisht se për një lojtar të tillë flitet pak në media, dihet se sa i rëndësishëm është ai për trajnerin Brdariç dhe gjithashtu vlerësimin që ka nga tifozeria shkodrane.
Endri ÇINARI