Një kosh i amerikanit Palmer 9 sekonda nga fundi i dha fitoren Vllaznisë në basketboll për meshkuj, që në “Asllan Rusi” mundi 66-64 Ardhmëria Basket, takim i vlefshëm për javën e 17-të të Superligës. Një ndeshje që dhuroi emocione e rivalitet deri në fund, me kryeqytetasit që bënë rezistencë dhe tentuan surprizë. Vllaznia duket se e kishte nënvlerësuar kundërshtarin dhe gaboi rëndë, pasi Ardhmëria rezistoi dhe bëri një paraqitje dinjitoze, por humbi në sekondat e fundit. Vllaznia ruan vendin e dytë dhe i afrohet Tiranës në renditje. Ajo ka për të luajtur edhe dy ndeshjet e fazës së dytë të kampionatit, atë me Kamzën në Shkodër dhe me Teutën në Durrës, para se të nisë përballjet gjysmëfinale me këtë të fundit, ku objektivi primar padyshim që do të jetë dalja në finale.