Prishtina në këtë sezon, pavarësisht pretendimeve madhore, nuk ia ka dalë të përmbushë pritshmëritë teksa këtë pjesë të parë të kampionatit e ka mbyllur vetëm në vendin e pestë me 24 pikë të grumbulluara, 10 pikë më pak se kryesuesit e Dritës.

Në këtë formë, edhe klubi ka nisur të shkëpusë marrëdhënien me disa lojtarë (Berisha e Vangjeli), ndërsa së fundmi, në mediet e Kosovës raportohet se edhe Sabien Lilaj nuk do të jetë më pjesë e kryeqytetasve.

Megjithatë, për ish-futbollistin e Skënderbeut, situata duket të jetë tjetër, pasi mesfushori pretendon se ka katër muaj pa marrë rrogën. I pakënaqur nga kjo pakorrektësi e klubit, 32-vjeçari mesa duket ka vendosur të largohet nga elita kosovare.

Ndaj, nëse Lilaj vendos të mbyllë eksperiencën me Prishtinën, atëherë me siguri mesfushori do të kthehej në një objektiv për klubet shqiptare duke njohur edhe eksperiencën e konsiderueshme të lojtarit, ndërsa më parë në Superiore ai është aktivizuar me Tiranën dhe Skënderbeun.