Trajner në ekipe të ndryshme të kategorisë së parë, trajner moshash, drejtues i një shoqate sportive, por së fundi Kreshnik Krepi ka marrë edhe një funksion tjetër.
Prej pak ditësh ai është emëruar në postin e drejtorit sportiv të Akademisë së futbollit “Djelmnia shkodrane”. Madje jo vetëm kaq, por Akademia në fjalë është bashkuar me atë “Shkodra 2006” dhe të dyja sëbashku do të bashkëpunojnë për nxjerrjen e lojtarëve cilësorë.
Sipas njoftimit që ka dhënë “Djelmnia shkodrane” e cila i referohet presidentit të saj Benardin Kulla, “Drejtori sportiv Kreshnik Krepi do të menaxhojë të gjithë Akademinë Djelmnia shkodrane e cila tani funksionon me të gjitha grupmoshat, U9, U11, U13, U15 dhe U17 . Tashmë objektivi i saj bashkë me stafin e trajnerëve do të jetë evidentimi i talenteve të reja dhe krijimi i ekipit U19 për sezonin e ardhshëm”.
Në ditët në vijim pritet që presidenti Kulla të ketë një mbledhje me të gjithë stafin ku dhe do të prezantojë drejtorin Krepi dhe do shpalosë planet për të ardhmen.
Ish- trajneri i Adës, Besëlidhjes, Veleçikut dhe Tërbunit, tashmë do të ketë një mision tjetër: Përgatitjen dhe evidentimin e elementit cilësor i cili në një të ardhme të afërt ndoshta mund të kalojë në tregun jashtë vendit, ashtu siç ka ndodhur kohët e fundit edhe me dy futbollistë të tjerë të Djelmnisë shkodrane që kanë kaluar në futbollin italian.
www.shkodrasport.com