Pas ndeshjes së zjarrtë në “Maradona”, ku Napoli i Antonio Kontes triumfoi ndaj Interit me rezultatin 3-1, tekniku zikaltër Kristian Kivu u shfaq i qetë, por i prerë në përgjigjen e tij ndaj deklaratave të kolegut italian.
“Shoqëria ka të drejtë të bëjë atë që mendon se është e drejtë,” – u shpreh Kivu në konferencën për shtyp.
“Unë, si trajner, për koherencë, nuk do të vij kurrë këtu për t’u ankuar, sepse kam dinjitet dhe një qasje ndryshe nga ajo me të cilën shumë janë mësuar”.
Fjalët e tij ishin një reagim i qartë ndaj thumbimeve të Kontes, i cili kishte kritikuar ndërhyrjen publike të presidentit Bepe Marota pas ndeshjes, duke thënë se “nuk do të lejonte kurrë një drejtues të fliste në vend të tij”.
Kivu theksoi se dëshiron të ndryshojë mentalitetin brenda Interit.
“Lojtarët duhet të mendojnë vetëm për të luajtur. Po përpiqem të ndryshoj disa gjëra, por për momentin po luftoj vetëm. Jemi mësuar gjithmonë të qajmë dhe të ankohemi, por duhet të evoluojmë. Sa kohë të jem këtu, do të punoj në këtë drejtim, nuk më intereson çfarë mendojnë të tjerët për mua.”
Në lidhje me përplasjen mes Antonio Kontes dhe Lautaro Martinez, trajneri rumun tregoi se nuk dëshiron ta dramatizojë ngjarjen: “Nuk e di çfarë ka ndodhur dhe as nuk më intereson shumë, por do të flas me ta. Nuk mund të hedhim poshtë gjithë punën që kemi bërë për të hyrë në debate me pankinën kundërshtare. Duhet të përqendrohemi te kush jemi dhe ku duam të shkojmë”.
Një mesazh i qartë nga Kivu: më pak polemika, më shumë fokus te futbolli.







