Një nga dy boksierët e kombëtares shqiptare që zunë vende të para në Memorialin e 11-të ndërkombëtar “Vllaznia 2014”, të zhvilluar fundjavën që shkoi në Shkodër, ka qenë edhe boksieri I Vllaznisë Kristian Shytani. Ai I ka sfiduar të gjithë kundërshtarët e peshës 64 kilogramë duke merituar kësisoj në fund të aktivitetit medaljen e artë. Në një prononcim për mediat, vetë Shytani është shprehur I kënaqur për këtë arritje të rradhës për të dhe njëkohësisht ka deklaruar se objektivat e tij për të ardhmen janë edhe më të mëdha.

“Ndjehem mirë që triumfova në këtë aktivitet të rëndësishëm sepse vetë pjesmarrja e sportistëve nga Italia, Kazakistani etj, flet vetë për rëndësinë e tij. Megjithatë unë nuk kënaqem me kaq. Synoj të arrij të tjera rezultate të mira sepse karriera ime sapo ka nisur dhe unë mund të bëj më shumë”-ka thënë Shytani.Boksi shkodran në këtë mënyrë edhe njëherë tjetër nxjerrë një emër kampioni. Kristian Shytani është ndër sportistët më të mirë të viteve të fundit të Vllaznisë dhe mosha e tij e re natyrisht që premton shumë për të ardhmen.
Gjergj KOLA