Vetëm dy pikë në katër ndeshjet e fundit, vetëm dy gola të shënuar, vetëm tre suksese në këtë kampionat dhe katër ndeshje rradhazi pa fitore janë tregues i startit larg pritshmërive të sezonit nga Vllaznia. Dy humbje dhe dy barazime në javët e fundit kanë rikthyer hijet e edicioneve të mëparshme, ku kuqeblutë luftonin deri në fund për mbijetesë.

Në fakt, është e lehtë të lexosh në deklaratat që vijnë nga kampi kuqeblu, ndjesinë se i kanë të gjitha mundësitë ta kalojnë këtë moment, por përtej ndjesive apo faktorëve të tjerë të jashtëm, Vllaznia për momentin është zonjë e fatit të saj dhe i ka të gjitha mundësitë për të mos lejuar “shqetësimet” e viteve më parë.

Për të larguar hijet e së kaluarës, tani Vllaznia do të kërkojë të kthehet te fitorja prej ndeshjes me Teutën. Suksesi do të vlente për klasifikimin, për të futur në krizë ndoshta një rival direkt për momentin, por edhe për moralin, sepse në javët pasardhëse kalendari bëhet më i vështirë me duelet përballë Egnatias, Dinamos dhe Tiranës. Megjithatë, ajo që bën përshtypje është fakti që as ndryshimi i trajnerëve dhe drejtorëve nuk po sjell rezultatet që priten tek Vllaznia.

Një detaj maksimal shumë i rëndësishëm edhe ky, por të presim dhe të shohim në ndeshjet në vijim, edhe pse deri në fund të këtij viti kalendarik, nuk duhet të ketë shumë nëse dhe por, pasi Vllaznia duhet ta vendosë vetë fatin e saj, pikërisht aty, në fushën e lojës./SHKODRA-SPORT.COM/