Ka ardhur në fundin e merkatos së verës dhe menjëherë ka firmosur me Vllazninë. Sulmuesi kroat Tomislav Bushiç në njëfarë mënyre është “basti” I drejtuesve kuqeblu. Të gjendur në vështirësi për një sulmues cilësor, ata e morën këtë futbollist, nisur më tepër nga cv-ja e tij. Fakti që kishte luajtur me Hajdukun e Splitit, në Izrael dhe Azerbajxhan, do të thoshte se kishte përvojën e duhur për të ndihmuar Vllazninë. Në ndeshjen e parë ndaj Flamurtarit nuk luajti ngaqë nuk I kishte mbërritur ende leje-kalimi prandaj gjatë kësaj periudhe nuk kanë munguar as komentet e ndryshme. Zëra Brenda skuadrës mendojnë se është një futbollist që nuk bën diferencën me sulmuesit aktualë ndërsa pjestarë të stafit drejtues mendojnë ndryshe duke e konsideruar këtë futbollist si pikë referimi për skuadrën në sezonin e ri.

Forma
Kuptohet që nuk është më e mira e mundshme për këtë futbollist. Pasi ka mbyllur kontratën në Azerbajxhan është kthyer në vendin e tij në pritje të ofertave të ndryshme. Ai ka dashur të largohet sërish jashtë Kroacisë  prandaj nuk ka preferuar të stërvitet me asnjë ekip të elitës së këtij vendi. Bushiç për të qenë I lirë në çdo moment oferte, ka zgjedhur të stërvitet me ekipin Solin që militon në kategoritë amatore të këtij vendi. Në kushte të tilla kur ka ardhur në Shkodër nuk ka qenë në formën e tij më të mirë fizike. Këtë ai e ka pranuar edhe vetë në një prononcim për gazetën kur ka thënë: “Natyrisht që nuk kam qenë në formën time më të mirë në këtë moment por kjo periudhë e ndërprerjes së kampionatit për të rritur parametrat e mia. Megjithatë unë garantoj se shumë shpjt do të jem në formën e duhur për ta ndihmuar Vllazninë në shënimin e golave por edhe për të rritur lojën sulmuese të saj sepse kuptohet që një futbollist I vetëm nuk mund të bëjë gjithçka nëse nuk ka mbështetjen e pjesës tjetër të skuadrës”. Kroati 27 vjeçar e ka thënë fjalën e tij. Ajo çfarë pritet është që ta mbajë.
Prezantimi
Në ndeshjen miqësore që Vllaznia ka luajtur pasditen e së shtunës në Durrës me Teutën, Bushiç ka qenë në fushë në formacionin titullar që mendohet të luajë edhe ndaj Kukësit në fundjavë. Ai ka luajtur për rreth 70 minuta dhe stafi drejtues ka qenë I kënaqur me paraqitjen e tij. Vërtetë nuk ka shënuar por ka treguar tiparet e duhura për një sulmues cilësor duke qenë vazhdimisht I rrezikshëm për kundërshtarin por edhe duke e ndihmuar skuadrën e tij të dalë përpara në manovrën sulmuese. Trajneri Canaj dhe ndihmësit e tij kanë besim të plotë tek ky futbollist dhe në këtë mënyrë edhe ndonjë aludim për formën e këtij sportisti ka rënë poshtë. Vllaznia në ndeshjen e parë të kampionatit, nuk është prezantuar aspak mirë në manovrën sulmuese. Gjini apo dhe Dibra, dy lojtarët që kanë luajtur në sulm, nuk kanë treguar asgjë të mirë dhe për rrjedhojë kjo u shfaq edhe në aksionet e skuadrës kanë qenë shumë të pakta dhe të zbehta. Në sfidën e rradhës me Kukësin, pritet që Vllaznia me Bushiç në formacion të paraqitet ndryshe.
Gjergj KOLA