Prej disa kohësh është vënë re që Vllaznia përfaqësohet në mbledhjet e Ligës Profesioniste jo nga administratori i saj ligjor Suad Lici, por nga sponsori Alban Xhaferi.

Një gjë e tillë ka marrë vëmendjen e të gjithëve, megjithatë ka qenë kryebashkiakja Voltana Ademi ajo që ka sqaruar edhe arsyen pse Vllaznia është përfaqësuar nga z. Xhaferi në këto mbledhje.

Numri 1 i Bashkisë në intervistën e saj për TV1 Channel ka folur edhe për çështjen e bojkotit të kampionatit për të cilën ka thënë:

“Unë personalisht e kam mbështetur bojkotin e kampionatit. Prezenca e z. Xhaferi në mbledhjet e Ligës Profesioniste, është pikërisht për të dhënë atë që është zëri i biznesit, duke e parë qëndrim në një tavolinë ku bisedohet për interesin e biznesit.

Bashkia Shkodër si institucion publik dhe unë personalisht, e kemi mbështetur këtë proces dhe kemi hallin e atij që quhet “interesi jonë publik”, për të përfshirë sa më shumë faktorë në atë që është investim i domosdoshëm për sportin elitar, profesionist e konkurrues.

Dhe që nuk është vetëm mbështetja masive ajo që bën Bashkia Shkodër, për të rinjtë dhe për të rejat, për të bërë sport, është diçka më shumë. Bën atë diferencën për sportin profesionist që kërkon financa më shumë, infrastrukturë më të mirë.

Kërkon po ashtu profesionalizëm më të madh, kërkon që të jetë pjesë e një konkurrimi të vazhdueshëm dhe ashtu siç është në biznes, të bëhet edhe në sport dhe këtë mund ta bëjë të mundur vetëm një ligj që e ndihmon këtë proces”- është shprehur Ademi./SHKODRA-SPORT.COM/