Suksesi i fundit në Kupën “Pavarësia” i notarëve shkodranë nuk ka kaluar pa marrë edhe vëmendjen e kryebashkiakut Benet Beci. Ai i ka pritur ditën e sotme në zyrën e tij duke i falenderuar për rezultatet e arritura.

“Në Shkodër po rritet një brez i talentuar notarësh, të cilët i takova me shumë kënaqësi sot në zyrë. Fëmijë që po kultivohen me pasion, punë dhe vendosmëri për sportin, duke vendosur rekorde dhe duke na bërë krenarë.

Me mbështetjen dhe përkushtimin e trajnerit të apasionuar, Kole Shiroka, ky ekip ka një të ardhme të ndritur. Suksese të mëtejshme!- shkruan kryebashkiaku Beci.

Notarët e Vllaznisë zunë vendin e dytë në rang kombëtar në garat e vajzave e po ashtu pati edhe një rekord të ri kombëtar të thyer nga notari Joel Golemi për grupmoshën 9-10 vjeç, e këto janë tregues se tek ky ekip po bëhet një punë shumë e mirë.