Liridon Latifi është sërish i pafat. Ai u dëmtua përsëri në ndeshjen e fundit ndaj Egnatias, kur u detyrua të linte fushën përpara kohe, gjatë së cilës pësoi një dëmtim pikërisht aty ku kishte shfaqur problemet e mëparshme.

Në testet e bëra rezultoi ajo që në Shkodër pak a shumë i frikësoheshin. Kështu, nga ajo çfarë ka mësuar “Shkodra Sport”, Latifi ka pësuar një frakturë të shkallës së dytë në këmbën e tij. Fatmirësisht, ky dëmtim do të thotë se nuk do të jetë një mungesë e gjatë.

29-vjeçari do të duhet të qëndrojë për të paktën një muaj larg fushave të blerta, duke mos qenë i gatshëm për dy ndeshjet e fundit të 2022, pikërisht ndaj Kastriotit dhe ndaj Teutës. Megjithatë, Latifi pritet të rikthehet në ndeshjen e parë të janarit, pikërisht ndaj Partizanit në transfertë.

Në fakt, një dëmtim i tillë sipas stafit mjekësor kërkon të paktën një muaj kohë për rikuperim dhe mendohet se Liridon Latifi do të jetë i gatshëm vetëm në ndeshjen e parë të 2023, ndaj Partizanit me 14-janar, atëherë kur do të rifillojë gjysma e dytë e sezonit.
Maringlen ZHIVANI