Shkruar nga Endri ÇINATI
Në prag të javës së 24-t të Superiores, Vllaznia përgatitet për një nga sfidat më të rëndësishme të sezonit, teksa në “Loro Boriçi” pret Elbasanin, një rival direkt në garën për vendet e para. Kuqeblutë synojnë të hedhin një hap të madh drejt objektivave të tyre, duke zbritur në fushë me formacionin më të mirë të mundshëm.
Trajneri Edi Martini do ta ketë luksin e plotë të përzgjedhjes, pasi të gjithë futbollistët janë në dispozicion për këtë përballje delikate. Një lajm i mirë për shkodranët është rikthimi i Pohls në portë, me gardianin që pritet të marrë sërish vendin në katërkëndor dhe të japë siguri në prapavijë.
Në repartin defensiv pritet të rreshtohen Gurishta, Çelikoviç dhe Gjini, një treshe që ka funksionuar mjaft mirë gjatë këtij sezoni.
Mbrojtja ka qenë një nga pikat më të forta të Vllaznisë përgjatë vitit 2026, duke garantuar stabilitet dhe kompaktësi përpara portës.
Mesfusha do të mbështetet te eksperienca dhe dinamizmi i treshes Krymi–Kallaku–Qato, lojtarë që pritet të diktojnë ritmin e ndeshjes dhe të fitojnë betejën në qendër të fushës. Në krahë, Jago majtas dhe Kastrati djathtas do të kenë detyrën të japin thellësi dhe të furnizojnë repartin ofensiv.
Në sulm, Bekim Balaj mbetet pika e referimit. Shtatlarti kuqeblu është i padiskutueshëm në majën e repartit dhe do të ketë si mbështetje kryesore Malen, me dyshen që synon të shfrytëzojë çdo hapësirë në mbrojtjen kundërshtare.
Objektivi i Vllaznisë është një dhe i vetëm: fitorja para publikut të saj, në një moment të veçantë për klubin, në prag të 107-vjetorit të themelimit. Një triumf ndaj Elbasanit do të kishte peshë të dyfishtë, si për renditjen ashtu edhe për moralin e skuadrës në vijimësinë e kampionatit.


