Kukesi dhe Tirana do te diskutojne finalen e 2 qershorit per te nxjerre edhe skuadren fituese te Kupes se Shqiperise per kete sezon. Ky ka qene verdikti i ndeshjeve te kthimit gjysmefinale luajtur pasditen e sotme.
Skënderbeu, ndoshta i ndikuar edhe nga mungesa e Vangjelit e Muzakës para ndeshjes, si dhe dëmtimi i Oto Xhon në minutat e para, ishte i pafuqishëm për të kërkuar kualifikimin ndaj Kukësit.
Edhe ndeshja e dytë është fituar nga skuadra kuksiane, me rezultatin 1-3. Rexhinaldo, autogoli i Abazit dhe Rama i dhanë fitoren skuadrës së Gjokës, ndërsa goli i Bregut vlen sa për statistika. Rezultati i përgjithshëm, 2-5.
Kukësi ka kështu mundësinë për të fituar një trofe këtë sezon, teksa në finale do të gjejë Tiranën. Ndryshe nga kundërshtari i finales së Kupës, që ka llogari të hapura edhe me kampionatin, te Kukësi do të mendojnë që tani për këtë sfidë.
Nderkohe Tirana është kthyer përsëri në finalen e Kupës së Shqipërisë, dy vite larg herës së fundit kur ishte e pranishme në ndeshjen e trofeut. Bardheblutë kanë mundur Luftëtarin në një ndeshje e cila ka dalë krejtësisht nga skenari, duke dhuruar një rezultat 5-3 përfundimtar i cili duket në kontrast të plotë me atë që u pa në duelin e parë të mbyllur 0-0 apo edhe në pjesën e parë të sfidës.
Dy skuadrat ishin të vëmendshme në pjesën e parë, thuajse duke mos gjuajtur asnjëherë dhe të vetmet gjuajtje në kuadrat përfunduan në rrjetë, si ajo e Dajës me roveshatë, ashtu edhe e Filit.
Por në pjesën e dytë u “hapën portat” pasi bardheblutë gjetën shpejt golin me penalltinë e Kobina dhe çuan shifrat në 3-1 me Ngo e më pas në 4-1 me Sentamu. Ata kishin luksin të humbnin penallti me Kobina dhe për pak çaste, goli i Oshafit krijoi bindjen se fundit mund të ishte më i interesant në këtë sfidë.
Por Sentamu i vendosi vulën sfidës me golin e dytë personal, ndërsa Neziri nga ana tjetër shënoi një gol për ngushëllim që vulosi një rezultat shumë të çuditshëm në një pjesë të dytë ku dy skuadrat çuditërisht harruan si mbrohet dhe perfundimisht 5-3 per Tiranen qe shkon ne finale.