Vllaznia do ndeshet ditën e dielë në orën 13:45 me ekipin e Kukësit. Takim ky i vlefshëm për javën e 6-të të Superligës. Shkodranët vijnë pas një fitoreje me shifrat tenistike 6-3 kundër Dinamos. Një triumf që ka sjellë të gjithë në humor në ambientin kuqeblu, por vëmendja tani kalon tek sfida me Kukësin që parashikohet e vështirë.

Edhe verilindorët nga ana e tyre kanë pasur një fillim të mirë kampionati dhe do kërkojnë sërish rezultat pozitiv. Por, tek Vllaznia janë optimistë dhe nuk janë të pakët lojtarët që i kanë shënuar Kukësit në të shkuarën.

Arlind Kalaja ka “prenë” e tij të preferuar kuksianët ku i ka shënuar 3 herë me fanellën kuqeblu. Madje sezonin e kaluar edhe duke i dhënë 3 pikë Vllaznisë kundër Kukësit në ndeshjen e fazës së dytë.

2 herë sezonin e shkuar ka shënuar edhe Ardit Hoxhaj në portën e Kukësit. Ndërsa në sezonet e kaluara edhe Krymi dhe Adili kanë shënuar me Vllazninë kundër kuksianëve. Pra, janë 4 futbollistë të Vllaznisë që në të shkuarën kanë shënuar me skuadrën kuqeblu në duelet kundër Kukësit.

Të dielën ndonjëri prej tyre mund të vazhdojë traditën. Apo edhe ndonjë koleg i tyri të marrë rolin e protagonistit për të shënuar gola për skuadrën shkodrane.
Endri ÇINARI