Dy golat e Rubin Hebajt ndaj Skënderbeut e kualifikuan Teutën në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, duke bërë të avancojë më tej në këtë kompeticion, nga ku tashmë shpreson të shkojë deri në fund për ta fituar.

Në një prononcim pas ndeshjes së fundit, të luajtur në “Elbasan Arena”, sulmuesi shprehet i lumtur për kontributin që ka dhënë, ndërsa beson se Teuta do të shkojë në Europë përmes Kupës.

“Jam shumë i lumtur për ndihmën që i dhashë skuadrës, jo vetëm sa i përket shënimit të golave, por edhe me zbatimin e detyrave që na ka dhënë trajneri Arapi. Tani shpresoj që të shkojmë deri në finale dhe ta fitojmë Kupën. Në kampionat jemi në një vend që nuk na takon, sepse vitet e fundit Teuta ka dhënë shumë në futbollin shqiptar.

Kupa është mënyra më e afërt për të shkuar në Europë. Ky është objektivi i klubit dhe shpresojmë t’ia arrijmë”, ka thënë fillimisht Hebaj. Në lidhje me preferencat në gjysmëfinale, ai pohon se do të presë me qetësi shortin.

“Mendoj se të gjitha skuadrat që shkojnë deri në gjysmëfinale janë të forta, por ne do të shohim punën tonë dhe të japim maksimumin. Presim shortin se kush do të na bjerë për të përgatitur ndeshjen”, vijoi më tej shkodrani i kampionëve.

SFIDA NDAJ ISH-EKIPIT

Sipas Hebajt, skuadra duhet të përqendrohet te kampionati për ndeshjen ndaj Vllaznisë, ku shpreson të shënojë, ndonëse e sheh një sfidë mjaft të fortë.

“Vllaznia është një ekip i fortë, ku vitet e fundit është rritur shumë. Besoj se do të jetë një ndeshje e hapur dhe e fortë në Shkodër. Le të fitojë më i miri”, theksoi sulmuesi 23- vjeçar, ndërsa i ngacmuar nëse ka ruajtur ndonjë gol në stadiumin ku u bë i njohur si futbollist profesionist, dha këtë përgjigje:

“Këtë kampionat e kam shënuar një gol ndaj Laçit, por të shpresoj edhe për një gol ndaj Vllaznisë”. Ndërkohë, vlen të theksohet se për Hebajn kjo është hera e dytë që luan për Teutën, pasi ka qenë pjesë e saj edhe në vitin 2020, ku në 26 ndeshje për kampionat, arriti të shënojë 14 gola. Sulmuesi ishte pjesë e Shkëndijës së Tetovës në pjesën e parë të këtij sezoni. /PANORAMA-SPORT/