Gjithçka ka ndryshuar rishtazi, në mbrëmjen më të papritur apo ndoshta, për ta thënë ndryshe, në mbrëmjen që të gjithë tifozët e Milanit, brenda zemrës së tyre, e kishin ëndërruar të atillë.
Natën e dështimit për të kaluar në krye, falë humbjes së Interit në Bolonjë dhe me ndeshjet e zhvilluara në ekuilibër, Milani është kthyer në kontroll të fatit të tij.
Dy pikë avantazhi, të cilat janë të pakta, por mund të jenë edhe shumë, për t’u menaxhuar në katër garat e mbetura të kampionatit. Me vetëm një siguri, por të padiskutueshme: me dhjetë pikë deri në fund të kampionatit, Pioli do të ishte kampion i Italisë.
KALENDARI
Llogaria nuk është e vështirë: Interi ka aktualisht 72 pikë e duke i fituar të gjitha takimet do të arrinte në 84 pikë. Milani me 74, duke fituar 10 pikë, do të arrinte të njëjtën kuotë me zikaltrit, por mund të merrte avantazhin në ndeshjet direkte (rezultatet e derbit 1- 1 dhe 2-1 në favor të kuqezinjve).
E gjitha kjo në formë të çuditshme, sepse gjithçka mund të pritej, përveç një disfate nga djemtë e Simone Inzagit – falë gabimit të tmerrshëm të Radusë dhe pasimit të keq të Perisiçit – Ibra dhe shokët e tij do të duhet të mendojnë vetëm për veten e tyre, duke u përpjekur të gjejnë mes Fiorentinës (në shtëpi), Veronës (transfertë), Atalantës (në shtëpi) dhe Sasuolos (transfertë) pikët e nevojshme për të marrë titullin.
SPRINTI
Nga ana tjetër, Interi do të rifillojë garën nga ndeshja e së dielës në transfertë në orën 18:00 në Udine, para se të përballet me Empolin (në shtëpi), Juventusin në finalen e Kupës së Italisë, Kaljarin (transfertë) dhe Sampdorian (në shtëpi).
Teorikisht, zikaltërit kanë një kalendar më të favorshëm pasi ndër ekipet që duhet të sfidojë vetëm Kaljaria luan për një objektiv (mbijetesë). Rivalet e tjera janë totalisht brenda mundësive të djemve të Inzagit që mund të befasohen përsëri nga Sampdoria (i mundi në fazën e parë), ose nga shqiptarët e Empolit të cilët një javë më parë hoqën Napolin nga gara e titullit.
Gjithçka në 360 minutat e bollshme të kampionatit, që në çdo rast do të jetë ende shumë emocionues dhe që mund të rezervojë surpriza të reja, kthesa të reja, përmbysje të tjera të papritura. Por, që nga dje, Milani që dukej viktima e paracaktuar mund të buzëqeshë: titulli varet vetëm nga rezultatet e tij.