Edi Reja nuk ka dyshime që dominimi i këtij viti i skuadrës së Napolit në futbollin italian dhe në Europë, e bën atë ekipin më të fortë që ka luajtur ndonjëherë në Serinë A. Një deklaratë e rëndësishme nga ish-trajneri i kombëtares shqiptare për “Il Mattino”, ku ka shpjeguar arsyet e këtij mendimi.
“Në periudhë time u hodhën themelet, filloi rritja e Napolit të De Laurentis që tani ka arritur në kulm. Presidenti ka bërë një kryevepër të vërtetë. Përmbushjen e një pune të jashtëzakonshme të zhvilluar ndër vite në të cilat janë arritur gjithmonë objektivat. Ky Napoli është i ekzagjeruar. Në kuptimin që nuk ishte parë asnjëherë një diçka e tillë në Serinë A me një skuadër të parën në klasifikim me një distancë kaq të madhe nga vendi i dytë. Ky Napoli është skuadra më e mirë e historisë së futbollit italian.
Kishte edhe të tjera, mendoj Interin apo Juventusin fitues, Milanin e Sakit, Napolin e Maradonës, por askush nuk ka arritur në këto nivele loje. Napoli duhet të vazhdojë me këtë mentalitet që ka transferuar Spaleti dhe të vazhdojë të luajë me këtë intensitet. Është një skaudër që nuk menaxhon kurrë rezultatin dhe sulmon gjithmonë edhe kur është në avantazh të dy apo tre golave. Dhe kjo po i mundëson të kaltërve të shkëlqejnë edhe në Ligën e Kampioneve ku ecet me një shpejtësi të dyfishtë.
Skuadra e Spaletit ka dhënë leksione kudo, edhe në Ligën e Kampioneve, duke filluar nga 6-1 ndaj Ajaksit dhe po dominon jashtë fushës ashtu siç kishte bërë në të kaluarën vetëm Milani i Sakit, të vetmet skuadra italiane të cilat ia dolën në Europë edhe në profilin e lojës. Mund të arrijë në gjysmëfinale dhe pastaj të shohim, do të varet edhe nga shorti duke pasur parasysh forcën e Real Madrid, Mançester Sitit e Bajern Mynih. Por Napoli mund të thotë të vetën edhe ndaj këtyre skuadrave.
Osimhen? Qiellor. Tërheq skuadrën, publikun, vrapon, bën presing, shkëputet, mbron dhe bën gola, Një qendërsulmues shumë i fortë, i kompletuar, sulmon hapësirat, lexon lojën e skuadrës, është i jashtëzakonshëm me kokë.
Kvara? E njihja që më parë, e kisha studiuar në ndeshjet që kishte luajtur Gjeorgjia pasi më pas duhej ta përballnim në miqësore me Shqipërinë. Me video-analistin Rosi e studiuam në çdo detaj. Është një lojtar i madh, një fenomen me topin në këmbë që nuk arrin t’ia heqësh kurrë. Çdo lëvizje e tij është vendimtare si kur bën asiste, apo kur gjuan drejt portës”, tha ndër të tjera Reja në intervistën e tij duke folur për skuadrën e Napolit.