Një lajm i bujshëm vjen nga Argjentina, ku është mësuar se së shpejti Daniel Osvaldo mund të kthehet përsëri të shkelmojë një top futbolli.

Ish-sulmuesi italo-argjentinas, i cili la futbollin në vitin 2016 për t’iu kushtuar muzikës, me sa duket ka ndërruar mendje e do të përjetojë edhe një herë emocionet e fushës së lojës.

Osvaldo luajti me shumë klube të njohura gjatë karrierës së tij, sidomos në Itali ku veshi fanellën e Fiorentinës, Romës, Juventusit e Interit, para se të kalonte te Boka Juniors, ku edhe mbylli karrierën e tij si futbollist, pasi e cilësoi humbje kohe të vazhdonte të shkelmonte topin para pasionit të tij të vërtetë që ishte muzika. Ai krijoi një bandë muzikore dhe me të bëri disa turne duke ndjekur këtë pasion që ka.

Por me sa duket jeta e futbollit e tërheq përsëri dhe sipas mediave argjentinase, Osvaldo ka një akord për t’u kthyer në fushë, duke luajtur me ekipin e Banfild.

Atij i është ofruar një kontratë 6-mujore dhe ish-sulmuesi 33-vjeçar i cili ka luajtur 14 ndeshje me përfaqësuesen e Italisë, do të vihet nën dispozicion të trajnerit të këtij klubi. Stadiumi është vetëm pak metra larg shtëpisë ku banon ai aktualisht dhe kjo është një nga arsyet kryesore pse ka kontaktuar pikërisht Banfild. /vipsport/