Tashmë dihet që Laçi ndeshjet brenda nuk mund t’i luajë në shtëpinë e saj për shkak të kohës së gjatë që kërkon rehabilitimi i fushës.

Kurbinasit duhet të presin fillimin e vitit të ardhshëm për të luajtur në stadiumin e tij. Gjetja e një fushe të re e vendosi klubin në një situatë të vështirë, por duket se më në fund zgjidhja ka ardhur.

Siç raporton “Supersport”, presidenti Pashk Laska po diskuton mundësinë që ndeshjet e planifikuara që Laçi duhet t’i luante në qytetin e tij mund t’i zhvillojë në dy stadiumet më të mira në Shqipëri për momentin: “Elbasan Arena” dhe “Loro Boriçi” mund të hapin dyert për skuadrën e Artan Mërgjyshit.

Por kjo zgjidhje nuk do të kalojë pa sforcime për skuadrën. Ata do të detyrohen të lëvizin nga java në javë për të zhvilluar ndeshjet dhe përveç lodhjes nga ndeshjet, skuadra duhet të përballojë dhe ngarkesën fizike nga rrugëtimi anembanë Shqipërisë.

Jo vetëm kaq, por dhe përkrahja e tifozëve do të jetë më e vogël për shkak të distancës  gjeografike nga Laçi.

Pra, Laçi duket se do pranojë një zgjidhje me kosto jo të vogla, duke patur parasysh ecurinë perfekte në këtë sezon, ku në 8 javë nuk janë mposhtur nga asnjë prej kundërshtarëve./newsport/