Laçi ka filluar pjesën e fundit të sezonit me bindjen se mund të jetë pretendent kryesor për titullin kampion. Kurbinasit janë prej kohësh pranë kreut të renditjes dhe në javët e mbetura, do të synojnë padyshim që të kthehen përsëri në kryesim ku ishin pak javë më parë.
Por për kurbinasit, edhe nëse ky edicion kurorëzohet me një triumf, apo veç thjesht me Europën, ka ardhur një lajm aspak i mirë nga UEFA. Sipas përgjegjësit të Sektorit të Licencimit në FSHF, Eduard Gjini, stadiumi i qytetit të Laçit nuk plotëson më kushtet për të luajtur atje ndeshjet ndërkombëtare.
“UEFA, në vendimin e fundit që ka marrë, ka përcaktuar që stadiumet që marrin pjesë në aktivitetet ndërkombëtare, duhet të jenë të Kategorisë së Dytë me ndriçim. Të kësaj kategoria janë edhe ai i Laçit, apo të tjerë, por në Shqipëri i vetmi stadium i Kategorisë së Dytë me ndriçim i licencuar është “Niko Dovana”.
Natyrshëm që për ndeshjet janë edhe stadiumet e kategorisë së katërt si “Air Albania”, “Loro Boriçi” apo “Elbasan Arena””, shpjegoi Gjini për RTSH.
Kështu, klubi kurbinas duhet të mendojë që tani për “strehën” e tij për aktivitetet ndërkombëtare nëse në këtë sezon do të sigurojë biletën për pjesëmarrjen. /vipsport/