Kampionati shqiptar do hapë këtë fundjavë edhe fazën e tretë me raundin e tij të 19-të. Vllaznia do jetë vizitore në Laç përballë vendasve, në një sfidë që parashikohet shumë e fortë.
Kjo pasi të dy skuadrat po kalojnë një moment të mirë, e sidomos laçianët që mund të cilësohen si ekipi i momentit, por edhe kuqeblutë që duan të kapin vendet e para të klasifikimit.
Skuadra e drejtuar nga Mirel Josa deri në këto momente të kampionatit është ajo që minimalisht i ka mundur nga 1 herë skuadrat që ka pasur përballë. Por historia ndryshon në këtë edicion kur bëhet fjalë për përballjet me Vllazninë, pasi jo vetëm që nuk kanë mundur të marrin fitore kundër shkodranëve, por madje as edhe 1 barazim.
Kjo pasi në fazën e parë ku ishte edhe ndeshja e parë e kampionatit u zhvillua një ndeshje spektakolare në Laç. Takim që përfundoi në shifrat 3-5 për Vllazninë.
Gjithashtu edhe ndeshja e fazës së dytë do fliste në favor të kuqebluve pasi në “Loro Boriçi” do triumfonin me shifrat 1-0 falë një goli të shënuar nga Da Silva.
Pra Laçi njeh vetëm shifrën 0 ndaj Vllaznisë këtë sezon. Duke qenë në këtë mënyrë i vetmi ekip që ende nuk ka mundur ti marrë asnjë pikë deri në këto momente të kampionatit.
Endri ÇINARI