Laçi po kalon një formë të shkëlqyer që nga fundi i vitit të shkuar e madje duke e vijuar edhe në këtë fillim të vitit 2022. Një dorë në rikthimin e kurbinasve në nivelet më të larta madje edhe duke e futur në valle për titull kampion ka Mirel Josa. Trajneri kryeqytetas pas ardhjes në krye të pankinës bardhezi njeh vetëm suksese.
Debutimi i Joses me kurbinasit ka ardhur në datën 30.10.2021. Në takimin mes Laçit dhe Skënderbeut ku laçianët fituan me rezultatin 2-0. Që nga ajo periudhë janë luajtur 15 ndeshje me Josën si trajner kryesor. Numërohen 10 fitore, 4 barazime ku dy kanë ardhur në kupë kundër Tomorit në shifrat 1-1 dhe Egnatias po në shifrat 1-1.
E vetmja humbje për Josen që nga ardhja e tij në krye të pankinës laçiane është ajo kundër Vllaznisë. Ndeshja e javës së 10-të në fazën e dytë të kampionatit ka shikuar si fitues shkodranët me rezultatin 1-0, ku vendoste një gol i Da Silvas. Kjo është edhe e vetmja ndeshje ku ish-mesfushori i njohur ka pësur disfatë.
Një “peng” për Josen është vetëm Vllaznia, ku ditën e dielë do përpiqet që ta mundë për herë të parë ish-skuadrën e tij në këtë sezon. Prandaj ndeshja e kësaj jave pritet të jetë spektakolare e për ti shijuar në maksimum.
Endri ÇINARI