Në pritje të nisjes së punimeve për ndërtimin e pallatit të ri të sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, drejtuesit e Federatës Shqiptare të Basketbollit kanë parë mundësinë për të gjetur një “strehë” të re për ekipet kombëtare dhe për atë të meshkujve duket e se kanë gjetur.
Bëhet fjalë për pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe madje kjo tashmë është konfirmuar edhe pas bisedimeve që drejtues të Federatës kanë patur me krerët e Bashkisë Shkodër. Një gjë e tillë bëhet e ditur përmes një postimi të bërë nga Federata Shqiptare e Basketbollit e cila shkruan:
“Zyrtarizohet “Qazim Dervishi” si fusha ku do të zhvillohen ndeshjet e ekipit kombëtar të meshkujve.
Pas një inspektimi të kryer nga përfaqësuesi i Federatës Shqiptare të Basketbollit z. Ersi Oruci në prani të nënkryetarit të Bashkisë Shkodër z. Alban Preka u konfirmua se pallati i sportit “Qazim Dervishi” plotëson të gjitha kushtet për të pritur ndeshjet dhe fazën përgatitore të ekipit kombëtar të meshkujve.
Shkodra ka tashmë një eksperiencë të rëndësishme në pritjen e eventeve të mëdha ndërkombëtare, pas organizimit me sukses të Kampionatit Evropian të zhvilluar gjatë verës, duke treguar standarde të larta mikpritjeje dhe organizimi.
Ky bashkëpunim me Bashkinë Shkodër përforcon angazhimin e FSHB-së për të zhvilluar infrastrukturën sportive dhe për të sjellë basketbollin e niveleve më të larta pranë tifozëve në çdo qytet”.








