Incidentet e ndodhur në fundin e ndeshjes Vllaznia- Elbasani kanë qenë objekt i shqyrtimit dhe i vendimeve të marra nga Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Në mbledhjen e tij të sotme ai ka vendosur dënimin e zëvendëstrajnerit të Vllaznisë Ergi Borshi me 8 ndeshje pezullim për sulm ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar.
Po ashtu edhe Klubi Vllaznia është gjobitur me 1 milionë lekë të vjetra për mosmarrjen e masave të nevojshme të sigurisë dhe sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës.
Nuk kanë mbetur pas në këto dënime as elbasanasit. Zyrtari i tij Klaudio Allkja, për sulm ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar dënohet me 8 ndeshje pezullim nga veprimtaritë. Po ashtu, futbollisti Donart Ibraimi, për sulm ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar, dënohet me 5 ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
Njëkohësisht AF Elbasani urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Loro Boriçi” sipas akt- konstatimit, brenda 15 ditëve. Këto vendime kanë qenë pjesë e dënimeve të shumta të dhëna nga Komisioni i Disiplinës në mbledhjen e tij të sotme.


