Vllaznia ka mbyllur pasditën e sotme ditën e fundit të përgatitjeve për përballjen e parë të turit gjysëmfinal të Kupës së Shqipërisë ndaj Egnatias. Ata do të luajnë pasditën e nesërme në Shkodër përballë rrogozhinasve dhe natyrisht pritet që skuadra kuqeblu të marrë një rezultat pozitiv, që është fitorja, për ta bërë më të lehtë pastaj ndeshjen e kthimit.
Për këtë duket se po mendon edhe trajneri Goçe Sedloski. Nga sa është shikuar ditën e fundit të përgatitjeve, për përballjen me rrogozhinasit, tekniku maqedonas mësohet se është mes disa dilemash për futbollistët që do të hedhë në fushë në këtë ndeshje.
Kështu, nisur nga kjo, trajneri Sedloski nuk e ka vendosur akoma përfundimisht se cilëve futbollistë do t’u besojë formacionin për të startuar takimin ndaj Egnatias. Në portë do të jetë njëri mes Zogoviç dhe Qarrit. Në mbrojtje katërshja e përbërë nga kapiteni Gurishta nga e djathta, Juriç e Bulatoviç në qendër dhe nga e majta Hakaj.
Me skemën 4-2-3-1 në mesin e fushës përpara mbrojtjes, pritet që të jetë dyshja Alivodes dhe Marku. Pas Bekim Balajt që pritet ta nisë edhe këtë ndeshje si titullar, mendohet që të jenë njëri mes Hoxhajt dhe Heriç në të djathtë, Jonuzi ne qender dhe Latifi nga e majta.
Megjithatë, deri ditën e nesërme trajneri Goçe Sedloski mund të ketë planifikuar ndonjë lëvizje tjetër, teksa deri atëherë do të ketë shuar edhe dilemat e tij në lidhje me futbollistët do të hedhë në fushën e lojës nga fillimi.
Ndërkohë, Vllaznia-Egnatia do të luhet pasditën e nesërme në stadiumin “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 18:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë në kanalet e OverSport në platformën TIBO nën komentin e komentatorit Gentjan Alinani. /Maringlen ZHIVANI/
Formacioni i Vllaznisë (4-2-3-1): Zogoviç (Qarri), Gurishta, Bulatoviç, Juriç, Hakaj, Alivoda, Marku, Heriç, Jonuzi, Latifi, Balaj Tr: Goçe Sedloski