Vllaznia do të presë në javën e 28-të të Superiores brenda në Shkodër ekipin e Erzenit. Shijakasit kanë qenë me të vërtetë një skuadër që i ka shkaktuar jo pak probleme Vllaznisë në këtë edicion.
Kështu, në prag të kësaj ndeshjeje në përgatitjet e fundit anti-Erzeni, trajneri i ri maqedonas, Goçe Sedloski, ka përzier kartat për formacionin që do të hedhë në fushë në duelin e nesërm ndaj shijakasve dhe në fakt nuk është lënë shumë të kuptohet se cila do të jetë 11-shja e teknikut të sapoardhur.
Megjithatë, duke parë që në krye të Vllaznisë ka ardhur një trajner i ri, skema e kuqebluve do të jetë ndryshe, krahasuar nga sfidat e mëparshme. Kështu, gjasat janë që Sedloski të luajë me skemën 4-2-3-1 dhe me këtë mënyrë loje, fantazisti shqiptaro-malazez Kristijan Vulaj mund ta nisë si titullar, nisur edhe nga forma e mirë që ka shfaqur në stërvitje periudhën e fundit, por ende nuk dihet përfundimisht një gjë e tillë.
Sa i takon formacionit duke nisur nga porta, aty do të luajë gardiani i përhershëm malazez, Zogoviç. Në mbrojtje, Sedloski mund të ulë në stol Bulatoviçin dhe ta nisë me Dajan Shehin, për ta parë këtë të fundit që nga fillimi.
Reparti i prapavijës do të plotësohet me dy anësorët Gurishta dhe Hakaj, që kur kuqeblutë të kenë topin në zotërim të shtyjnë përpara si pistona në krahët e tyre.
Ndërkohë, në mesfushë mendohet që Jonuzi dhe Boshnjaku ta nisin titullar këtë herë. Hoxhaj, Vulaj dhe Latifi mendohet të ndihmojnë në sulm Bekim Balajn, por nuk është çudi që Sedloski të surprizojë sërish me ndonjë lëvizje tjetër. Megjithatë, ajo që dihet me siguri është që nesër ndaj shijakasve do të ketë ndryshime të shumta në formacionin dhe lojën e kuqebluve.
Ndeshja Vllaznia-Erzeni do të luhet pasditën e nesërme në stadiumin “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 18:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë nga kanalet e OverSport në platformën TIBO, nën komentin e Gentjan Alinanit. /Maringlen ZHIVANI/
Vllaznia (4-2-3-1): Zogoviç, Gurishta, Shehi (Bulatoviç), Juriç, Hakaj, Jonuzi, Boshnjaku, Hoxhaj, Vulaj (Marku), Latifi, Balaj Tr: Goçe Sedloski