Vllaznia ka filluar të mendojë edhe për të ardhmen, ndonëse priotet për të kanë objektivat sezonalë. Si rrjedhojë drejtuesit e klubit kanë nisur të rinovojnë kontratat me disa prej lojtarëve që i shohin të veshur me fanellën kuqeblu për një kohë të gjatë.
Dhe i pari që ka hedhur firmë në kontratë e rinovimit është pikërisht mbrojësi Gledjan Pusi. Klubi shkodran ka njoftuar ditën e sotme ka rinovuar me këtë futbollist deri në vitin 2028. Kjo ngaqë e shohin si një element të rëndësishëm për vazhdimësinë. Sa herë që i është dhënë mundësia, ai ka treguar se di ta bëjë si duhet punën e tij dhe besohet që në të ardhmen t’i jepet edhe më tepër besim.
“KF Vllaznia ka kënaqësinë të njoftojë se ka arritur marrëveshjen për rinovimin e kontratës me futbollistin Gledjan Pusi. Mbrojtësi i qendrës i skuadrë tonë do të jetë i veshur kuqeblu deri në vitin 2028”-thuhet në njoftimin e shpërndarë nga klubi shkodran.
Në ditët e ardhshme mësohet se mund të ketë të tjera rinovime, me futbollistë të rinj por edhe titullarë të skuadrës sepse drejtuesit po mundohen të mendojnë që tani për skuadrën e sezonit të ardhshëm.



