Skënderbeu arriti të merrte një fitore jetike në luftën për mbijetesë dje kundër Kastriotit. Korçarët triumfuan në shifrat 2-1 duke u ngjitur në kuotën e 14 pikëve dhe duke u larguar disi nga zona e ftohtë e renditjes. E ndërsa nga ana e tyre krutanët “betonohen” në vendin e fundit me 8 pikë.

Por përveç takimit në fushën e lojës që ishte goxha e rivalizuar dhe që dhuroi një futboll të fortë, por brenda korrektësisë, bujë bëri ai gjest i trajnerit Ramadan Ndreu në fundin e 90 minutëshit. Kreu i pankinës krutane pas një shkëmbimi fjalësh me mbrojtësin Vitija të Skënderbeut, e godet këtë të fundit me shqelm.

Një “lajthitje” kjo e Ndreut që është e paprecedentë në Superligën e futbollit. Një gjest shumë i ulët dhe rrugaçërie ky i Ndreut, ku në një moment që trajneri duhet të jetë shembull me sjelljen e tij, një gjë e tillë nuk ndodh. Trajneri duket se shndërrohet në një “ultras” dhe harron atë për çfarë paguhet.

Për futbollistët ka ndëshkime më kartona për gjeste të tilla në fushën e lojës, po për trajnerët cili është dënimi ? Rregullorja nuk është se e parashikon saktë ose me një numër të caktuar ndeshjesh, por dënimi për një veprim të tillë duhet të jetë sa më shembullor.

Patjetër që Ndreu njihet për karakterin dhe gjaknxehtësinë e tij gjatë lojës, por në fund të fundit është një trajner dhe jo një tifoz e për këtë duhet të mbajë përgjegjësi për gjestet e tij.
Endri ÇINARI