Kane luajtur sebashku ne Gjermani tek Hanover ne kohen kur ai ishte kapiten dhe padyshim qe ruan ende edhe sot raporte me trajnerin aktual te Vllaznise. Ish- kapiteni i kombetares shqiptare Altin Lala vazhdon te komunikoje shpesh me Thomas Brdariç per te cilin flet me superlativa dhe nese Vllaznia sot eshte ne vend te pare, sipas tij, kjo eshte merita e ketij trajneri. Ja intervista e dhene per “Panorama Sport”
Një ish-shok ekipi me ju po drejton me sukses në Shqipëri…
Aa… Tomas Brdariç. Po.
Pra, e keni ndjekur?
Normalisht që e ndjek. Unë e ndjek kampionatin në Shqipëri, plus edhe Vllazninë. Për më tepër që Vllaznia e cila ka tifozëri aq të zjarrtë dhe më vjen vërtet shumë keq që ajo nuk ka mundësinë të shijojë në stadium këtë ecuri të ekipit. Do të ishte stadiumi plot. Madje, unë kam pasur eksperiencë sepse kam shënuar gol ndaj Rusisë në Shkodër dhe ka qenë stadiumi plot. Ishte fat që fituam, por një entuziazëm i jashtëzakonshëm atje. Jo vetëm për humor, por edhe për futboll, Shkodra është super. Më bëhet qejfi për Brdariçin.
E shihni dorën e tij te skuadra dhe mënyra e lojës?
Po, duket dora e tij. E di sepse Brdariç ka stërvitur edhe në Gjermani në ligën e katërt, që kam përshtypjen se është e barabartë me atë në Shqipëri. Me një skuadër mesatare, Nojshtrelitz, ka dalë në vend të parë dhe ka luajtur shanset “play off” për ligën e tretë. Dora e tij duket te loja me pasime të shpejta, bën presing dhe kontrollon.
Si e keni parë Vllazninë e Brdariçit?
Faktikisht, ata me aq shumë raste sa krijojnë, duhet të shënonin edhe më shumë gola. Te pjesa e sulmit, mendoj se duhet t’i shfrytëzojnë më mirë rastet. Mirëpo nga kontrolli i lojës, e ndoqa me vëmendje ndaj Partizanit, ata e kontrollojnë lojën gjatë gjithë 90 minutave dhe kjo është komplet dora e tij. Komplimente edhe lojtarëve të Vllaznisë që i janë përshtatur trajnerit, edhe disiplina. Në të gjithë Europën nuk ke shanse që të arrish diçka nëse nuk je i disiplinuar dhe të bëhesh pjesë e grupit dhe jo gjeneral. Për fat të keq, ne shqiptarët e kemi këtë tendencë për të qenë të gjithë gjeneralë.
Rastësi, sipas jush, kjo ecuri?
Jo, nuk mendoj se është rastësi dhe unë personalisht jam surprizuar në mënyrë pozitive. Shkodra, edhe për nga kualiteti, nuk është ekipi më i mirë në Shqipëri. Të gjithë dinë të luajnë futboll, por në letër nuk e rendit dot si të parën, ama në fushë janë ata të parët dhe kjo është merita. Kanë krijuar një grup të veçantë. Skuadër që e kam parë me dëshirë, pasi në Shqipëri ndodh të ketë ndeshje me ritëm jo të mirë.
Si e kujtoni Brdariçin lojtar? Ka qenë i disiplinuar?
E dini si ka qenë Brdariç? Si Inzagi. Ishte “non stop” në lojë. Ne në Gjermani e kemi të theksuar këtë dhe unë nëse punoj me lojtarë, këtë kërkoj të parën. Gjëja më e rëndësishme është që të jesh për 90 minuta, deri te vërshëllima e arbitrit, “non stop” në lojë, i fokusuar. Edhe nëse topi ka dalë jashtë, rivënie anësore dhe nuk e ka kapur ende asnjë për ta rivënë në lojë, ti duhet të jesh në pozicionin e duhur. Për nga stili ose karakteri i lojës, Brdariç ka qenë fiks si Inzagi, si të ishim në avantazh apo në humbje, ishte gjithmonë i uritur për të shënuar. Këtë kërkon ai. Në futboll, puna e lojtarit është vetëm 90 minuta. Nuk harron që në stërvitje duhet të jesh serioz. Shpresoj që edhe Vllaznia t’i rregullojë kushtet e stërvitjes.
E ka përmendur disa herë në deklarata…
Është normale, vjen nga kushtet e Gjermanisë. Të themi të drejtën, të paktën një fushë duhet ta ketë çdo klub i Superiores në Shqipëri.
Keni folur me Brdariçin?
Po, kam pasur dhe kam kontakte. Ne jemi një grup prej 10 apo 12 lojtarësh që kemi luajtur dhe kemi komunikim, aq më tepër para se të vinte në Shqipëri.
Çfarë interesi kishte për Shqipërinë para se të vinte?
Ai do të punojë. Do sukses. Është shumë i rëndësishëm suksesi për atë.
Lala, e njihni mirë Shqipërinë. Po për pjesën e pagesave, s’ju pyeti?
(Qesh…) Për atë i thashë: “Paç fat, se nuk i dihet”. Shqipëria është përmirësuar, por dihet që për nga ekonomia dhe biznesi nuk është shumë lart. Megjithatë, futbollistët, në proporcion me njerëzit, paguhen mirë. Në këtë kontekst, nuk jam futur në detaje, pasi nuk e di gjendjen e klubit, as planet, as buxhetet dhe asnjë realitet financiar.
Çfarë tipi ka qenë në periudhën kur e keni pasur në ekip?
Në Hanover kemi qenë një grup shumë i mirë. Kur kishim dy stërvitje në ditë, pas të parës paradite, ne në drekë dilnim 10- 12 vetë bashkë për të drekuar. Ka qenë shumë i komunikueshëm. Pak a shumë si të gjithë futbollistët, pasi kanë të gjithë të njëjtin mentalitet.
Jeni zënë ndonjëherë me Brdariçin?
Unë jam zënë me të gjithë (qesh…). E harruat çfarë lojtari kam qenë, ë? Kisha dyluftime me të gjithë, duele të forta. Stërvitja në Gjermani është si luftë, nuk gënjej nëse them që është më e fortë sesa ndeshjet që shihni në Bundesligë. Për rregullat e lojës në Bundesligë, unë meritoja dy apo tre të kuq gjatë stërvitjes. Prandaj, edhe niveli i futbollit gjerman është atletik dhe me shumë dyluftime, të cilat luajnë një rol shumë të madh.
Çfarë cilësish shihni tek ai ende sot të ruajtura pas kaq vitesh?
Profesionalizmi. Në sport është i rëndësishëm ky aspekt. Ai sheh, si të thuash, edhe detajet më të vogla. U kushton interes dhe është detajist. Këtë tip ka Brdariç. Unë them se ka sjellë një fryt të “Europës” për nga mënyra se si punohet, ndonëse i duhen edhe kushtet. Por, kushtet nuk bëhen sot për nesër… Shpresoj që çdo klub në Shqipëri të përmirësohet akoma më shumë sa u përket kushteve.
Lala, po pse nuk pati sukses te Shkëndija?
Shiko, në futboll kanë rëndësi shumë gjëra. Varen rrethanat, gjërat që e rrethojnë një ekip. Ka shumë faktorë.
Brdariç driblon shumë në deklarata kur vjen puna e objektivave të mëdhenj. Juve, në biseda miqësore, jua ka thënë objektivin që ka pasur?
Mua më pëlqen kjo, të qenurit me këmbë në tokë sesa të fluturosh. Trajnerët shpesh nuk dalin me letra të hapura, sigurisht, por për të thënë të vërtetën është ende shumë herët. Objektivi i tyre ka qenë për të ndërtuar një ekip që të mos rrezikojë rënien nga kategoria. Ky ka qenë objektivi i parë, për të qenë në mes e sipër, me sa kam folur. Edhe unë, po të isha në vend të tij, të njëjtat deklarata do të jepja, pasi nuk është se ka fituar ndonjë gjë.
Ka bërë shumë mirë, por është vetëm fillimi… Duhet ta vazhdojë dhe ata djem të marrin edhe më tepër kurajë që ekipi funksionon. Secili prej tyre është rritur nga ana morale, ndaj në vijim e ndjek edhe më mirë trajnerin, e beson më tepër. Ata do ta shijojnë edhe më tepër, sepse po luajnë futboll dhe po marrin edhe rezultatet. Mos harroni që psikologjia është shumë e rëndësishme dhe te Vllaznia tani çdokush është shumë mirë nga ky aspekt.
E shihni për titull Vllazninë e Brdariçit, në raport me pretendentet?
Prognoza ime është e tillë, që pas kaq ndeshjesh që janë luajtur, Vllaznia del kampione nëse ruan të njëjtën mesatare pikësh, edhe në 25 ndeshje të radhës, atëherë del kampion (qesh…). Pra, duhet të ruajë të njëjtën vazhdimësi. Realisht, është shumë herët për ta thënë dhe unë mendoj se Vllaznia s’ka pse t’i shtojë presion vetes me deklarime që duam titullin. Le të vazhdojnë me këtë ritëm dhe kaq. Për mua, janë edhe Kukësi, Partizani dhe Tirana… Me dy humbje dhe dikush tjetër të fitojë dy ndeshje, atëherë përmbysen situatat. Pastaj fillon presioni i brendshëm… Si traditë, por edhe Brdariç që e kam shok, shpresoj që Vllaznia të vazhdojë me këtë ritëm.