Largim i papritur nga Partizani. Theofilus Solomon nuk është më lojtar i kryeqytetasve. Burime në klub bëjnë me dije për “Panorama Sport” se sulmuesi ka ndërprerë kontratën me “demat” dhe tashmë është një lojtar i lirë për të zgjedhur skuadrën ku dëshiron të vazhdojë karrierën.

Mësohet se Solomon nuk është paraqitur në stërvitje ditën e sotme para ndeshjes me Vllazninë dhe kjo ka ndodhur për shkak se palët kanë ndërprerë marrëveshjen mes tyre.

Shkak për mbylljen e marrëveshjes, mendohet të jenë afrimet e fundit që ka bërë Partizani në repartin e sulmit, që ka bërë që nigeriani të marrë vendimin për t’u larguar.

Kujtojmë se sulmuesi kërkohej në këtë merkato nga skuadra nga Azerbajxhani, Neftçi Baku, por marrëveshja nuk u arrit, pasi nuk plotësoheshin kërkesat që kishte Partizani.