Largimi i trajnerit Armando Cungu nga Laçi nuk ishte një surprizë, të paktën për ata që janë afër skuadrës, por edhe për mediat.
Që pas barazimit në shtëpi ndaj Kastriotit, drejtuesit dhe trajneri u krisën, por gjithsesi shkodranit iu dha edhe një shans në dy ndeshjet e radhës ndaj Partizanit dhe Kukësit, ku bardhezinjtë morën vetëm një pikë.
Që prej së enjtes, Laçin e drejton i mirënjohur Stavri Nica. Trajneri durrsak u emërua këtë sezon në krye të skuadrës U-21 të klubit, por tani që situata është emergjente, presidenti Pashk Laska i ka besuar Nicës ekipin e parë.
Ai do të drejtojë skuadrën në ndeshjen e së dielës ndaj Apolonisë në Laç, ku kurbinasit do të kërkojnë të bëjnë kthesën e madhe, duke arritur fitoren e parë për këtë kampionat.
Në stërvitjen e zhvilluar në kompleksin e Kamzës gjatë ditëve të fundit, është vënë re se Nica ka punuar më shumë faktikisht, duke projektuar ndryshime të rëndësishme në formacion.
Sipas të gjitha gjasave, do të rikthehet titullar sulmuesi Kirian Nuabueze, por dilemat janë të mëdha në mbrojtje dhe mesfushë për shkak të dëmtimeve të disa lojtarëve. Titullarë si Ramos dhe Lushkja nuk janë ende në 100 % të formës.