Lautaro Martinez ka gjetur golin në një moment kur të gjithë flasin për të si një nga kandidatët potencialë për “Topin e Artë”. Sulmuesi argjentinas megjithatë është i fokusuar tek çmimet e skuadrës dhe jo ato individuale. Kapiteni i Interit është i lumtur për faktin që u bë sulmuesi i huaj me më shumë gola në skuadrën e Interit dhe nuk e ka problem të ofrojë një darkë për ekipin.

GOLI- “Ky gol do të thotë shumë për mua, sepse ishte i 133-ti duke më shndërruar në golashënuesin më të mirë nga të huajt. Që nga momenti kur kam ardhur më kanë trajtuar sikur të kem lindur tek Interi. Kjo ka një vlerë të rëndësishme. Duhet të vazhdoj të punoj si gjithmonë. Kishim përballë një skuadër shumë të fortë këtë herë dhe pas ndalesave të kombëtareve nuk është aspak e lehtë. Por duhet të vazhdojmë kështu sepse kemi një ndeshje të rëndësishme të mërkurën dhe pastaj është derbi i Italisë”.

KUJTIMET- “Nëse do të zgjedh një gol nga këta 133 është ai i pari kundër Kaljarit në ‘San Siro’. Ishte goli i parë që nisi këtë rrugëtim fantastik. Ishte emocion i jashtëzakonshëm për mua”. MESI- “Nuk kam folur me të për ‘Topin e Artë’. Kemi folur në kombëtare për momentin e mirë që po kalon skuadra e Argjentinës. Ndihemi shumë të lumtur që u rikthye me ne pas një kohe të gjatë dëmtimi”.

“TOPI I ARTË”- “Jam shumë i lumtur që ndodhem mes kandidatëve. Por unë punoj shumë për skuadrën dhe jo për veten. Sigurisht që kur ata vijnë të japin kënaqësi. Është edhe pjesa e stafit që ka merita për rritjen time, po ashtu edhe e shokëve të skuadrës dhe tifozëve”.

DARKË- “Nuk e kam problem që t’u jap darkë apo drekë lojtarëve. Në fakt e bëj prej 3 vitesh këtë gjë (qesh). Jemi një grup i jashtëzakonshëm”.