Rafa Leao ngre moralin e Milanit para derbit të së dielës: “Të gjithë jemi gati. Është derbi, Interi ka grup të fortë. Për ne është një mundësi për kryesimin e renditjes”. Sulmuesi foli edhe për sezonin:

“Vjet ishte e vështirë. Kësaj vere erdhën shumë lojtarë të rinj. Klubi ka bërë punë të madhe, ka sjellë një drejtor të shkëlqyer si Tare, ka mbajtur Ibrën, ka sjellë Allegrin me përvojë dhe Modric. Këto janë të rëndësishme për lojtarët e rinj”.

Për Allegrin: “S’më kërkon shumë, thotë vetëm ‘je i lirë’. E di çfarë bëj me topin dhe pa top. Është si baba që të kërkon të përmirësohesh. Ndihem plot besim, sepse ai bazohet tek unë”.

Leao foli për rolin e tij: “Më pëlqen ‘1 kundër 1’, por sot vlejnë statistikat. Allegri më ka afruar drejt golit, nuk mjaftojnë vetëm driblimet”. Për Pulisic: “Është bërë më inteligjent, si numër 10 e lexon mirë lojën. Është shumë i rëndësishëm për ne”. Mbi atësinë: “Të qenurit baba më jep fokus dhe forcë në momentet e vështira”.