Fitorja e Shqipërisë për ballë Islandës në “El basan Arena”, me rezultatin 4-2, erdhi pikërisht në momentin e duhur, duke qenë se skuadra kuqezi vinte pas asaj humbjeje të thellë me Francën, ku nuk munguan as kritikat për trajnerin dhe lojtarët.

Ndaj, kjo fitore, përpos mundësisë që u jep kuqezinjve për të shpresuar ende te kualifikimi, u ka shërbyer shumë edhe në anën morale. Të paktën, kështu shprehet në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, legjenda e portës shqiptare, Foto Strakosha. Ai thekson se i pa lojtarët të trembur në veprimet e tyre.

“Ishte një fitore që më tepër të kënaq nga ana psikologjike për djemtë, sepse nëse do ta vinim re, ishin pak edhe të stresuar dhe disi të trembur në veprimet e tyre”, u shpreh fillimisht ish-kapiteni i kuqezinjve. Në lidhje me këtë ndryshim që ndodhi brenda tri ditësh sa i përket lojës dhe rezultatit, Strakosha mjaftohet për të evidentuar se cilët kundërshtarë kishin përballë kuqezinjtë. “Ndryshimi nga ndeshja me Francën në këtë mbrëmje, së pari ishte kundërshtari. Kuptohen diferencat”, vijoi më te

PORTIERI

Nuk mund të mos “ngacmohej” edhe për të dhënë një opinion për të birin e tij në Kombëtare, Tomas Strakoshën, i cili pësoi dy gola ndaj Islandës, por gjithsesi në fund Shqipëria fitoi. Fakt ky që mund të bënte të harroheshin edhe gabimet, por jo për një si Foto Strakosha, i cili nuk kënaqet lehtë, sidomos kur bëhet fjalë për të birin. Sipas tij, Tomas nuk e ka bërë mirë detyrën e tij, duke e bërë fajtor po aq sa i gjithë ekipi për çdo gol të pësuar.

“Nota për Tomas? Çfarë note? Nuk e bëri mirë detyrën, pësoi dy gola. Çfarë t’i jap? Edhe ai ka fajin, ashtu si i gjithë ekipi, edhe pse ju thoni që nuk ishte faji i tij në golat e pësuar”, pohoi Foto Strakosha, i cili kërkon t’i mbajë me “këmbë në tokë” të gjithë ata që i gëzohen kësaj fitoreje, sidomos djalin e tij, i cili luan me Lacion në Serinë A dhe mbron katërkëndëshin e portës kuqezi, si ai në të kaluarën.

E ARDHMJA

Ish-kapiteni kuqezi flet edhe për të ardhmen e Kombëtares, por bën apel se është herët për të dhënë konkluzione. “E ardhmja e Kombëtares? Ndoshta është shpejt, por besoj se duhen bërë hapat dhe veprimet e duhura që të kemi në të ardhmen një Kombëtare më të mirë”, përfundoi prononcimin e tij Foto Strakosha, i cili i është gëzuar kësaj fitoreje si të gjithë shqiptarët, por me eksperiencën që ka kaluar, kërkon të mos kalohet në eufori dhe çdo hap të bëhet me kujdes.