
Te Vllaznia mbrojtja ka qenë jo vetëm nën akuzë për gabimet amatoreske në takimin e fundit me Teutën, por edhe është pikërisht reparti ku tekniku Agim Canaj kërkon të riparojë gjatë këtyre ditëve. Reparti që para takimit me Skënderbeun ka qenë një nga më të mirët në dy përballjet e fundit, është shpërfytyruar. Kanë qenë jo pak, por 6 gola të pësuar në dy takimet që kanë shfaqur edhe problemet në këtë repart. Numri një i pankinës kuqeblu, Canaj, një pjesë të problemeve ia ka faturuar mungesës së Rajoviçit. Duke qenë se qendra e mbrojtjes ka qenë më e shigjetuara në sfidën e fundit ndaj durrsakëve, pritet që në këtë sektor të fushës të ndodhin dhe lëvizjet e para. Nisur edhe nga deklarimet e vetë trajnerit Canaj, ajo që nuk përjashtohet është një lëvizje “kokë më kokë” e disa lojtarëve. Një nga futbollistët që mund t’i besohet të jetë në formacionin e parë, është shtatlarti Elvis Kraja. Këtij të fundit, tekniku i ka besuar shumë në takimet miqësore pa startuar sezoni, pikërisht kur Canaj nuk kishte në dispozicion të tij mbrojtësin malazez, Blazho Rajoviç. Mirëpo, nuk përjashtohet mundësia që tekniku të shikojë si një tjetër alternativë rikthimin në qendër të mbrojtjes të kapitenit Elvin Beqiri, si dhe zëvendëskapitenit Amarildo Belisha. Këto janë alternativat më të mundshme për një ndryshim në qendër të mbrojtjes, pikërisht në këtë sektor që tekniku ka mbetur tepër i zhgënjyer. Por lëvizjet e lojtarëve në fushën e lojës mund të sjellin edhe të tjera lëvizje në formacionin e parë.
Admir Uruçi