Mbrëmjen e sotme rikthehet Liga e Kampionëve me ndeshjet e saj të fundit në grupe dhe nga viti 2018, rikthehet sërish dueli mes Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldos. Barcelona do të presë Juventusin në Camp Nou, teksa dy yjet do të kenë sërish mundësinë të kthejnë të gjithë prozhektorët nga vetja.
Në ndeshjen e parë në Torino, CR7 nuk zbriti në fushë prej koronavirusit, mirëpo tashmë gjithçka është gati për serinë e radhës. Ndërkohë, Barcelona-Juventus do të luhet edhe për vendin e parë në grup, pozicion në të cilin aktualisht gjenden katalanasit. Bardhezinjtë do ta kenë të vështirë t’ia “rrëmbejnë” Barcelonës, pasi në mes është edhe golavarazhi dhe nuk mjaftojnë thjesht tre pikë.
Ndërkaq, një situatë e ndërlikuar është në Grupin H, ku PSG, Mançester Junajtid dhe Lajpcig janë të treja në kuotën e nëntë pikëve dhe pretendojnë kalimin për më tej. Francezët duken më të favorizuar pasi sot presin në shtëpi Bashaksehirin e vendit të fundit me tre pikë, ndërsa anglezët dhe gjermanët përplasen mes tyre në shtëpinë e këtyre të fundit.
Sakaq, edhe Lacio e Tomas Strakoshës luan një sfidë vendimtare teksa pret në Olimpico, Klub Bryzh dhe iu mjafton edhe një barazim për t’i mbajtur belgët larg dhe për të qëndruar në vendin e dytë./VipSport/
Ndeshjet:
18:55 Lacio-Klub Bryzh
18:55 Zenit-Dortmund
21:00 Barcelona-Juventus
21:00 Çelsi-Krasnodar
21:00 Dinamo Kiev-Ferencvarosh
21:00 PSG-Bashaksehir
21:00 Lajpcig-Mançester Junajtid
21:00 Rene-Sevilja