Tashmë gjithçka është gati për edicionin e dytë të Ligës Unike, kompeticionit të përbashkët të basketbollit me skuadrat më të mira nga Shqipëria dhe Kosova.

Pasi zhvilloi edicionin e parë në kohë të reduktuar dhe në formatin “Final 4” te meshkuj, këtë sezon Liga Unike vjen me një kalendar të plotë, ndërsa siç dihet, për herë të parë do të mbahet edhe për femra.

Ndërkohë, mesditën e djeshme Liga Unike ka hedhur shortin e sezonit 2021-2022. Ndeshjet për femra do të fillojnë këtë mesjavë dhe do të mbahen me 10 javë me sistem vajtjeardhje, për të vijuar më pas me fazën e “play off”-it.

Në radhët e meshkujve takimet do të nisin në fundjavë dhe gjithashtu do të luhen me sistem vajtje-ardhje, ku pas përfundimit të sezonit të rregullt vendet 1-2 kualifikohen direkt për “Final 4”, ndërsa vendet 3-6 dhe 4-5 luftojnë për vendin e tyre në “Final 4” përmes dy ndeshjeve kualifikuese vajtje-ardhje, në të cilat takohen ekipet 3-6 dhe 4-5.

Ekipet më mirë të renditura luajnë si vendëse në ndeshjen e kthimit. Në javën e parë te femrat do të kemi këto takime: Tirana-Prishtina, Bashkimi-Partizani dhe Flamurtari-Penza. Te meshkujt java e parë dhuroi këto përballje Tirana-Rahoveci, Prizreni 16-Kamza, Vllaznia-Ylli dhe Peja-Teuta.