Vesel Limaj e pranon se derbi i zgjidhur me golin e Xhixhës në minutat e fundit i ka shijuar më shumë se derbi i parë i sezonit ndaj Partizanit ku ai tundi vetë rrjetën. Në “Sport News Plus” ai tregoi se ekipi kishte festuar pa menduar premion që kishin vënë drejtuesit.
“Ne do të kthehemi më 3 janar në stërvitje. Unë personalisht jam në Gjermani se kemi pushime e besoj që e kemi merituar.
Derbi? Edhe pse shënova gol te i pari, më shumë më ka shijuar në këtë ndeshje të dytë se ishte një ndeshje me shumë emocione e kështu që ishte një ndeshje shumë e bukur.
Nuk e kishim në mendje premion, por ishte një festë shumë e madhe se ishte një ndeshje shumë e bukur dhe nuk e kishim mendjen. Nuk diskutojmë për titull apo jo, kemi qetësi brenda ekipit. Jemi në rrugën e duhur dhe nuk është se e besojmë, do japim maksimumin deri në fund.
Rivalët? Ka ekipe të forta në garë si Laçi, Vllaznia e Kukësi, ndaj e dimë që nuk na lejohen të bëjmë gabime. Besoj se këto janë ekipet e forta që na rrezikojnë.
Objektivi? Kam katër vite këtu dhe synimi është të fitoj njëherë titullin. Çfarë duhet të korrigjojmë si ekip? Nuk kemi çfarë korrigjojmë, kemi shumë kualitet. Duhet të mbajmë qetësinë e të vazhdojmë kështu. Besoj se jemi mirë deri tani”, tha Limaj.