Larg çdo ndjenje superioriteti që mund të kishte për shkak të asaj që është dhe ka arritur, Lionel Messi sillet me përulësi të jashtëzakonshme tek Inter Miami, klubi i transformuar që nga mbërritja e tij. Kjo thjeshtësi bëhet edhe më e dukshme kur ai sheh video si ajo e fundit, ku tifozët e Barcelonës, fytyra të panjohura, por plot dashuri, i kujtojnë se sa shumë iu mungon në Katalonjë.
Messi e ndjen këtë dashuri dhe, megjithëse koha e distanca mund ta zbehin kujtesën, ndjenja e dashurisë mbetet e paprekur. “Gjithçka që më vjen nga Barcelona më prek. Më kap pak nostalgjia dhe emocionohem shumë”, – rrëfen ai në këtë intervistë të zgjeruar dhe eksluzive për katalanasen “Sport”, të cilën “Telesport” po e sjell të plotë nbë shqip për lexuesit e vet.
“E imagjinoja gjithë jetën time në Barcelonë”
Messi kujton me mall vitet te Barça: “Kam kaluar 20 vite aty, që kur mbërrita 12-13 vjeç. Kam ndjenja të përziera për mënyrën si u largova, për shkak të pandemisë, sepse nuk kishte tifozë në stadiume. E imagjinoja të luaja gjithë karrierën te Barcelona dhe pastaj të vija këtu në fund, siç e kisha menduar. Gjithsesi, gjithmonë do të mbetet dashuria e ndërsjellë me njerëzit atje”.
Ai pranon se nuk e shijoi mjaftueshëm periudhën e gjatë te Barcelona: “Tani, kur i shoh nga larg, i vlerësoj shumë më tepër ato momente”. Për të, kujtimet më të bukura janë “6 trofetë sezonalë me Guardiolën” dhe “Champions-i i fundit me Luis Enrique”, por thotë se “është e vështirë të zgjedhë vetëm një moment”.
“Barcelona është jeta ime”
“Jam mirënjohës që Zoti më çoi atje si fëmijë. Kam ndërtuar jetën time, familjen, fëmijët e mi kanë lindur në Barcelonë. Nuk është vetëm klubi, por edhe qyteti që do të mbetet gjithmonë pjesë e imja”. Messi shton se vazhdon ta ndjekë skuadrën katalanase: “E ndjekim të gjithë, flasim shpesh për lojën dhe rezultatet e saj”.
Përvoja në Paris dhe Miami
Për periudhën te PSG, argjentinasi shprehet me sinqeritet: “Nuk ishte ferr, por nuk u ndjeva mirë me veten. Më mungonte kënaqësia e përditshme që më jepte futbolli. Megjithatë, si familje kaluam përvojë të bukur, edhe pse ishte e vështirë, ngaqë jetonim për herë të parë jashtë Barcelonës”.
Ndërsa për jetën në Miami, ai shtoi: “Jemi shumë mirë. Jetojmë si në Castelldefels, afër klubit dhe shkollës së fëmijëve. Miami është i bukur, por me trafik të rënduar. E shijoj jetën e qetë, pa presionin e përhershëm për të fituar çdo ndeshje. Kam më shumë kohë për familjen dhe këtë e vlerësoj shumë”.
“Nuk më pëlqen të humbas, asnjëherë”
Messi pranon se motivimi i tij është ende i njëjtë: “Që fëmijë, gjithmonë më ka pëlqyer të luaj dhe të fitoj. Nuk më pëlqen të humbas. Ky është motivi im i brendshëm. Kur erdha tek Inter Miami, sfida ishte ta ndihmoja klubin të bëhej konkurrues, të luftonte për trofe. Mendoj se e kemi arritur”.
Ai shton: “Sa kohë që ndihem mirë fizikisht, do të vazhdoj të luaj me të njëjtën dëshirë për të fituar. Kur të kuptoj se nuk mund ta bëj më, do të jetë momenti për t’u ndalur. Tani për tani po e shijoj shumë”.
Për “pensionimin” e Busquets dhe Jordi Alba
Messi pranon se largimi i dy miqve të tij të afërt e ka prekur: “Ishte shumë e çuditshme, sidomos për Jordi, sepse nuk e prisnim. Na e tha në dhomat e zhveshjes që do të tërhiqej nga futbolli. Ishte një vendim i menjëhershëm. Me Busi kishim folur më parë për këtë. Është për të ardhur keq, sepse përveçse ishim bashkë në fushë, jemi miq të vjetër. E filluan këtë aventurë me mua në Miami dhe tani çdo gjë po afrohet drejt fundit, jemi të së njëjtës gjeneratë”.
Botërori 2026
Messi flet edhe për Botërorin e ardhshëm: “Sigurisht që më emocionon, por dua të jem i sigurt se do të jem në formë dhe se mund ta ndihmoj kombëtaren. Nuk dua të jem kurrsesi barrë për askënd. Do ta shohim me kalimin e kohës, dita-ditës, por e di se Botërori është diçka e veçantë dhe unike”.
Mesazhi për Barcelonën
Në fund, Leo dërgon një mesazh prekës për katalanasit: “Kam shumë dëshirë të kthehem në Barcelonë. E gjithë familja ime e dëshiron këtë. Fëmijët, gruaja ime, flasim shpesh për jetën atje. Kemi shtëpinë tonë, gjithçka. Dua të rikthehem në stadiumin ‘Camp Nou’ kur të përfundojë rindërtimi, sepse që kur u largova në Paris nuk jam kthyer më (intervista është bërë me 8 herë fituesin e “Topitt ë Artë” para vizitës së tij të fundit në stadiumin ikonik të Barcelonës). Do të jetë emocionuese ta shoh ‘Camp Nou’ e ri dhe të kujtoj çdo gjë që kam përjetuar aty. Falënderime për dashurinë e përjetshme, vetëm falënderime”.







