Prej ditësh, Vllaznia ka nisur përgatitjet për pjesëmarrjen në turin e dytë të Conference League, por jo gjithçka po shkon “vaj” në kampin shkodran. Për momentin, problem mbetet mungesa në stërvitje e mesfushorit të krahut, Liridon Latifi.

28-vjeçari nga Prishtina nuk ka qenë prezent në disa nga seancat e fundit që ka zhvilluar deri tani ekipi nën drejtimin e trajnerit Mirel Josa. Kur pyetet për mungesën e tij, përgjigjja që vjen nga burime zyrtare të klubit është se bëhet fjalë për arsye shëndetësore.

Në fakt, burime të “Shkodra Sport” kanë mësuar se mesfushori i krahut, Latifi, po kalon një virozë dhe prandaj ka munguar në stërvitjet e ditëve të fundit. Kështu, në këtë mënyrë, për të ka qenë e pamundur për t’u bashkuar me grupin.

Megjithatë, gjasat janë që shumë shpejt ai të rikthehet në stërvitje. Rikthimi i tij pritet të ndodhë para se skuadra të transferohet në Austri për fazën përgatitore.

Gjithashtu, me probleme janë edhe tre futbollistë të tjerë, pikërisht sulmuesi Kaina Nunes dhe mesfushorët Ardit Hoxhaj dhe Fjoart Jonuzi. Braziliani ka një dëmtim në kavilje, ndërsa vlonjati dhe kuksiani kanë probleme muskulore.

Për të mos u agravuar situata, të tre futbollistët janë lënë pushim këto ditë dhe kanë qenë në kujdesin e fizioterapistit, Ilirjan Haxhaja. Ndërkohë, pjesa tjetër e grupit është e plotë. E rëndësishme për stafin teknik është fakti se nuk bëhet fjalë për dëmtime të rënda.

Maringlen ZHIVANI