Shqipëria e trajnerit Edi Reja luan dy ndeshjet e fundit eliminatore për Botërorin “Katar 2022” të vlefshme për Grupin I. Momentalisht kuqezinjtë mbajnë vendin e tretë në grup, duke qenë pesë pikë larg Anglisë së vendit të parë dhe dy pikë më pak se Polonia që renditet e dyta.
Duke qenë edhe 6 pikë në lojë, matematikisht, por edhe me një përllogaritje të çmendur bën që Shqipëria të ketë shanse edhe për vendin e parë, por jo më për t’u renditur e dyta.
Por logjikisht shanset janë të pakta për të dyja këto objektiva, pasi dihet që më 12 nëntor luajmë në Uembli ndaj Anglisë, ku duhet të fitojmë këtë sfidë dhe të fundit me Andorrën, për të shpresuar më tej te hapat e gabuar të anglezëve me San Marinon, gjë që do të konsiderohej fatalitet botëror në futboll.
Ndërsa për vendin e dytë, ku llogaritë i kemi me Poloninë, duhet që kuqezinjtë të marrin 6 pikët e plota dhe Polonia të mos marrë më shumë se 3 pikë në dy sfidat e saj, fillimisht me Andorrën në transfertë dhe në fund polakët presin Hungarinë në shtëpi.
Pra, Shqipëria duhet të mendojë më shumë që të ruajë vendin e tretë në grup, pasi Hungaria është 4 pikë larg, por jemi të favorizuar për ta ruajtur këtë pozicion falë sfidës së fundit ku presim Andorrën.