Shoqata e Futbollistëve Profesionistë, që përfaqëson futbollistët në Angli dhe Uells, është e pajtimit që lojtarët e Premierligës të ndihmojnë në kalimin e krizës së koronavirusit, mirëpo shoqata nuk është e sigurt se hapi i duhur në këtë situatë është t’u ulen pagat futbollistëve. Shoqata e refuzoi propozimin për ulje të pagave për 30 për qind, duke argumentuar se kjo do të bënte që qeveria t’i humbte mbi 200 milionë funte nga taksat që merren nga pagat e lojtarëve.
Përderisa pandemia koronavirus po vazhdon ta paralizojë futbollin, pagat e larta të futbollistëve kanë qenë në qendër të vëmendjes, që kur është vendosur të pezullohen përkohësisht ligat në Britani të Madhe dhe pothuajse kudo në botë.
Vendimet e klubeve si Tottenham dhe Liverpool për t’i liruar nga puna punëtorët e stafit josportiv kanë bërë që klubet të kritikohen ashpër, pasi që qeveria do të duhet të ndajë para për ata punëtorë, përderisa klubet e Premierligës janë mjaft të pasura dhe të mund t’ia lehtësonin barrën qeverisë duke i paguar vetë ata punëtorë.
Sekretari i Shëndetësisë në qeverinë britanike, Matt Hancock, ka qenë njëri ndër politikanët e shumtë që ka kërkuar nga futbollistët të pranojnë t’u ulen pagat, mirëpo Shoqata e Futbollistëve Profesionistë beson se anëtarët e vet janë duke u sjellë në mënyrë të përgjegjshme.